Zyrtarizimi dhe mesazhet e para “kuqezi”, Hauge thyen heshtjen dhe nuk harron Bodo Glimt!

Uebfaqja Bodo/Glimt ka njoftuar gjithashtu transferimin e Jens Petter Hauge në Milano te skuadra kuqezi (ende pa mbaruar sezoni në Norvegji).

Për Hauge ndodhi gjithçka shumë shpejt, brenda pak ditësh! Paraqitje në “San Siro” me Bodo në turin e tretë të Europa League, gol dhe asist, por sidomos biseda me Paolo Maldini në dhomate  zhveshjes e deri te sulmi final kuqezi që solli akordin me 20-vjeçarin e Norvegjisë.

Hauge ka folur në sajtin zyrtar të Bodo duke falënderuar ish-ekipin e tij tashmë dhe shprehur gëzimin për firmën deri në vitin 2025 me kuqezinjtë.

“Ndihem shumë mirë. Milani është një nga klubet më të mëdha në botë me shtatë Liga Kampionësh të fituara. Po flasim për një klub të ndërtuar për të fituar dhe që dëshiron të fitojë trofe gjithmonë”.

“Ndihem sikur po bashkohem në një grup ku dhe unë kam diçka për të cilën mund të kontribuoj. Një ide loje shumë e ngjashme me Bodo/Glimt, mezi pres të filloj. Padyshim që jam i trishtuar të largohem nga Bodo, një klub ku kam qenë për shumë vite. Do të jetë e çuditshme të lë ekipin në mes të sezonit, por ne të gjithë jemi shumë të kënaqur me marrëveshjen”.

“Do të më mungojnë të gjithë, tifozët, skuadra, trajnerët dhe stafi mbështetës. Të gjithë që luajnë futboll dhe janë rreth një ekipi e dinë se funksionon gjithmonë kështu. Ndoshta nuk jam lojtari i fundit i Glimt që duhet t’i them lamtumirë klubit, pasi do të ketë të tjerë në muajt e ardhshëm. Mezi pres të bashkohem me grupin kuqezi dhe t’i njoh të gjithë. Këtu janë disa legjenda të mëdha të klubit dhe jam shumë i lumtur me mënyrën se si ata më pranuan”.

“Në fushë tashmë të dielën? Unë do të stërvitem këtu në Itali për pjesën tjetër të javës, kështu që do të shohim nëse mund të marr pjesë në ndeshjen e të dielës”

“Te Bodo/Glimt ka qenë një kohë fantastike në karrierën time dhe diçka që unë do ta mbaj me vete si tepër edukative. E vlerësoj faktin që mund ta përfundoj kohën time në Glimt me një medalje të artë në kampionat, edhe pse nuk më lejohet të marr pjesë në ndeshjet e fundit”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu