UEFA i përgjigjet SuperLeague: Ja formati i ri i SuperChampions nga viti 2024! 36 ekipe pjesëmarrëse

Përgjigja e UEFA-s ndaj Superligës së sapokrijuar nuk vonoi të vinte.

Në takimin e Montreux, komiteti ekzekutiv votoi njëzëri për formatin e ri të Champions-it, i cili do të rritet nga 32 në 36 skuadra nga viti 2024. 

Sipas “L’Equipe”, Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia do të mbajnë katër vende secila në këtë kompeticion, ndërsa Francës do t’i garantohen tri skuadra pjesëmarrëse.

36 skuadrat do të ndahen në 4 grupe, sipas renditjes së UEFA-s, dhe do t’i japin jetë një mini-kampionati, ku secila do të luajë 10 ndeshje, pa vajtje-ardhje.

Në fund të kësaj faze, tetë më të mirat do të kualifikohen drejtpërdrejt në raundin e dytë, ndërsa tetë vendet e tjera në dispozicion do të përcaktohen përmes “play-off” me dy ndeshje nga ekipet e renditura nga vendi i 9-të deri tek i 24-ti.

Nga raundi i dytë e tutje do të vazhdohet si deri më tani, me raunde të eliminimit direkt, vajtje-ardhje.

Mes atyre klubeve që kanë mbështetur revolucionin e ri të Champions-it është presidenti i PSG, Al-Khelaifi, i cili drejton “BeIN Media Group”, rrjetin televiziv të Katarit, që ka paguar disa miliona dollarë për të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Ligës së Kampionëve.

Kjo do të ishte arsyeja që nuk e ka shtyrë PSG-në të hynte në Superligën Europiane, të paktën për momentin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu