Tonali-Milan, gjithçka e kryer në pritje të vizitave mjekësore dhe firmës në kontratën për 5 vjet! Një investim i guximshëm i Milanit, por jo edhe aq nëse dëgjon mendimet e ish-futbollistëve të mëdhenj italianë…

Totti (mars 2020)
“Tonali është fantastik, në rolin e tij talenti më i fortë në Europë! Shoh një miks mes Pirlos dhe Gattusos. Ka fizik, teknikë, vizion loje, dinamikë dhe ndërrim hapi të frikshëm. Do të bëja çmos që të isha agjenti i tij!”

Pirlo (maj 2020)
“Thonë se Tonali mund të jetë trashëgimtari im. Si futbollist nuk më ngjan mua, më duket krahasimi më shumë për flokët e tij të gjatë dhe për faktin se ai luan te Brescia”.
“Për mua ai është një lloj tjetër lojtar, shumë më i plotë, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese; është një përzierje midis meje dhe lojtarëve të tjerë. Ai sigurisht që është më premtuesi nga mesfushorët në Itali. Unë nuk e shoh atë si një trashëgimtar sepse mënyra se si ai luan është e ndryshme, por ai me siguri do të bëhet një i shkëlqyeshëm”.

Roberto Mancini (maj 2020)
“Ai është një nga më të rinjtë që kemi, nëse shkon të luajë në një ekip që do të bëjë kupat, ai do të ketë më shumë përvojë dhe kur të luajë në nivele të caktuara ai do të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme nga të gjitha pikëpamjet. Në mesfushën me tre mund të luajë para mbrojtjes dhe nga brenda, ai nuk e ka problem të luajë dy rolet. Di të sulmojë mirë, ka një goditje të mirë, di të shënojë, di të fillojë aksionin, mund të bëjë gjithçka”.