Do të jetë një janar plot ndeshje, nuk do të ketë kohë për të marrë frymë – e thënë në mënyrë figurative.
Milani e filloi 2021-n në fushën e Beneventos dhe mori 3 pikë të arta pa pësuar gol dhe duke gjetur forcë edhe me dhjetë futbollistë.

Të mërkurën në “San Siro” e pret supersfida ndaj Juventusit të Ronaldos & Co, ora 20.45.
Një ndeshje që rrezikon të mos shohë Ibrahimovic, Saelemaekers, Gabbia dhe Bennacer, ende të dëmtuar.

Por, edhe bardhezinjtë rrezikojnë që të heqin dorë nga një titullar: siç është njoftuar, përmes kanaleve zyrtare, Alvaro Morata nuk u grumbullua dje ndaj Udineses për shkak të një tendosjeje muskulore në kofshën e tij të djathtë, e ndjerë gjatë stërvitjes së fundit.
Gjendja e ish-sulmuesit të Atletico Madrid do të vlerësohet në orët e ardhshme dhe prania e tij kundër Milanit padyshim që është në rrezik të madh.
Edhe trajneri Pirlo në konferencën e djeshme për shtyp tha se “do të vlerësohet këto ditë, por rreziku për të mos e parë në fushë është i madh”.