Pas fitores ndaj Bologna, Milani tashmë është fokusuar në një tjetër ndeshje dhe nuk ka kohë për të humbur. Të enjten, po në “San Siro”, mbërrin Bodo-Glimt, ekipi norvegjez që dominon kampionatin dhe është pranë titullit kampion sivjet.
Trajneri Stefano Pioli u detyrua që pas 2-0 të realizuar nga Ibra, të ndryshojë disa gjëra në formacion dhe përdorë 5 zëvendësimet e lejuara.
Kështu, Simon Kjaer ishte ndër të parët që la fushën e lojës për shkak se danezi është i vetmi mbrojtës që ofron garanci dhe një dëmtim i tij do të ishte problem pafund, në pritje të kthehet Romagnoli.
Shumë menduan se zëvendësimi i Kjaer me Duarte ishte pasi danezi u dëmtua, por në fakt, nuk ka asnjë alarm, sipas asaj që ka mësuar Milannews. Lojtari doli vetëm për të mos u sforcuar me muskujt e tij ende në këtë fillim sezoni.
Kështu u vendos të bëhej edhe me Calhanoglu, Kessie dhe në fund Bennacer.