S’i pëlqyen bonuset, tifozët e Milanit rebelohen ndaj Ibrës: Po ti sikur luaje falas

“Çështje stili dhe jo parash”.

Më këtë shpjegim, Mino Raiola justifikoi mungesën e Zlatan Ibrahimoviçit në grumbullimin e Milanit.

Nuk dihet saktësisht se sa do të zgjasë ky qëndrim i futbollistit, por menaxheri nuk duket i shqetësuar nga problemet që po i shkakton klubit.

Sipas gazetarit të specializuar në dinamikat e merkatos, e gjithë kjo çështje ka një shpjegim dhe atë e ka marrë nga vetë menaxheri i Ibrës.

Sipas këtij të fundit, 38- vjeçari nuk e ka pëlqyer mënyrën e drejtuesve për ta joshur me një ofertë të karakterizuar nga bonuset që varet nga prezencat dhe kontributi që do të japë në fushë.

Kjo do të thotë se Milani duhet t’i garantojë sulmuesit një rrogë fikse prej 6 milionë eurosh e të mos përfshijë përfitime të lidhura me ndikimin që ai do të ketë në paraqitjet, e sidomos në rezultatet ekipore.

DREJTUESIT – Mëngjesin e djeshëm në qendrën stërvitore të Milanit janë paraqitur edhe drejtuesit, të cilët ashtu si lojtarët dhe stafi teknik u janë nënshtruar analizave për Koronavirus.

Paolo Maldini dhe Frederik Masara kanë përfituar nga prezenca në “Milanello” për të zhvilluar edhe një mbledhje në ambient të hapur ku i pranishëm ka qenë edhe trajneri Stefano Pioli.

Biseda e treshes ka zgjatur më shumë se 20 minuta dhe ka qenë e fokusuar tek emrat e merkatos ku në krye të listës qëndron ai i Zlatan Ibrahimoviçit.

Drejtuesit janë të qetë për situatën e suedezit, marrëveshja me të cilin duhet të zyrtarizohet brenda kësaj jave.

Këtë ndjesi e dëshmon edhe fakti që Milani nuk ka një plan alternativ të mirëfilltë në rast se 38-vjeçari refuzon propozimin prej 6 milionë eurosh në sezon.

AMBIENTI KUNDËR – Edhe tifozëve kuqezinj duket se u ka sosur durimi me pretendimet e Ibrahimoviçit.

Përpjekja e klubit për të mbajtur lojtarin është vlerësuar, por mënyra se si lojtari po sillet ka ngjallur shumë pakënaqësi.

Reagimi, siç ndodh shpesh në të tilla raste, ka ardhur nëpërmjet rrjeteve sociale.

Milanistët kanë përdorur “Instagram”-in për të shfryrë inatin duke hedhur parulla kundër 38-vjeçarit. “Ibra, po ti sikur luaje falas”, është fjalia më e përdorur nga populli kuqezi që duket tashmë i lodhur nga tekat e idhullit të vet, i cili në sezonin e fundit shënoi 10 gola dhe dha pesë asiste me fanellën kuqezi në 18 prezenca.

PANORAMASPORT.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu