Shorti i Europa League, Gega: Ja pse nuk e doja përballjen me Milanin

Milan, Totenhem, Volfsburg, Rejnxherës, Bazel, Steaua Bukuresht, por jo vetëm mund të jenë rivalë të Kukësit, Laçit dhe Teutës në turin e dytë të Ligës së Europës. Sot në orën 13:00 UEFA do të hedhë shortin dhe nuk përjashtohet mundësia që një klub “big” të jetë kundërshtar i Kukësit & CO.

Natyrisht, ashtu si ndodhi edhe në turin e parë, UEFA ka paralajmëruar në faqen e saj zyrtare se mund të krijojë disa grupe mes skuadrave favorite dhe jofavorite për të përcaktuar rivalët, e ndikuar nga pandemia dhe mbi të gjitha për të shmangur duelet që janë në zonën e kuqe.

Te Kukësi janë të qetë para shortit, ndërsa duke parë edhe faktin që luajtën me një ekip bullgar si Slavia Sofia në turin e parë, besojnë se sërish do të jetë një rival afër Shqipërisë. Por cilat janë vërtet preferencat e verilindorëve në këtë short për turin e dytë kur shikojnë rivalët e mundshëm…? Gazeta ka komunikuar me trajnerin e Kukësit, Skënder Gega, përpara se UEFA të përcaktonte grupin e skuadrave që janë rivalë të mundshëm të Kukësit, pikërisht Volfsburg (Gjermani), Hajduk Split (Kroaci) dhe HSK Zrinjski (Bosnje).

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gega shprehet qartë se preferencat e tij janë ambiciet e klubit, pra që Kukësi të ecë më tej, e kjo duke pasur përballë një kundërshtar jo me shumë diferenca. I pyetur nëse do të dëshironte një mes Milanit apo Totenhemit si kundërshtar, ai u shpreh se do ta pranonte këtë vetëm nëse do të ishte tifoz. “Nëse do të isha thjesht tifoz, preferencat do ishin këto klube të mëdha. Megjithatë, si trajner mund të them se preferencat e mia janë interesat dhe ambiciet e klubit. Të konsolidohemi dhe të bëjmë më të mirën e mundshme. Shortin nuk e ka asnjë në dorë”.

LOJTARËT – Sa i përket ekipit, trajneri pret që futbollistët e ardhur rishtazi të përshtaten sa më shpejt dhe mbi të gjitha të kapin formën fizike. Një ndër lojtarët mbipeshë që dallohet është qendërmbrojtësi ganez, Erhun Obanor, për të cilin përgatitësi atletik, Iris Selimaj, ka hartuar një program të veçantë pune. Gjithashtu ka edhe futbollistë të tjerë që po bëjnë punë specifike sa i përket aspektit fizik si Patrik Eze, Kenan Horic, Enis Gavazaj, Godberg Kuper, etj. Stafi kërkon që për turin e dytë t’i ketë në 100 për qind të formës të gjithë këta lojtarë, pasi rëndësia e tyre në fushë është e madhe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu