“San Siro” tabu! Milani vuan psikologjikisht brenda fushe. Ndryshim drastik nga viti 2020

Operacioni “San Siro” dështoi. Pas “nokautit” kundër Napolit, kuqezinjtë gjithashtu humbën në shtëpi përballë Manchester United (0-1).

Disfata kësaj here dhemb më shumë, sepse nënkupton eliminim nga Liga e Europës, pa shkuar dot në çerekfinale.

Pogba dënon kuqezinjtë me humbjen e pestë në “San Siro”, brenda vitit 2021.

Deri më tani, mes kampionatit dhe kupave, Milani ka fituar vetëm 3 ndeshje në shtëpi: dy kundër Torinos (Serie A dhe Kupa e Italisë në kohën shtesë ndër të tjera) dhe një ndaj Crotone (4-0).

Ishte 7 shkurti, suksesi i fundit në “Scala” për të besuarit e Piolit. Pastaj tri humbje (Inter, Napoli, Manchester United) dhe dy barazime 1-1 (Udinese, Crvena Zvezda).

Këtyre duhet t’u shtohen edhe dy tregolëshat e pësuar përballë Juves dhe Atalantës në janar (3-1 dhe 3-0).

“San Siro” nuk mund të shihet kurrsesi si një fortesë. E bukura është se në të gjithë vitin 2020, Milani ka humbur vetëm 2 ndeshje në shtëpi: kundër Genoa para bllokimit (1-2, në mars) dhe Lille në Europa League (0-3 në nëntor).

Viti i ri, që është në vazhdim, solli dritë-hije dhe rezultate negative, duke larguar diellin e një viti të artë 2020 (32 fitore gjithsej).

Një tabu e çuditshme në “San Siro”, ku kuqezinjtë e Piolit shfaqen thuajse të bllokuar. Kundër Manchester Unitedit mungonte thuajse një skuadër e tërë. Castillejo nuk kishte lidhje me qendërsulmuesin, Ibra u kthye nga një dëmtim, Romagnoli, Rebic, Leao dhe Calabria ishin në tribunë. Milani u përgjysmua.

Dhe ajo “shpikje” e Pogba, me 9 fitore në 10 ndeshje të luajtura kundër kuqezinjve, midis Juves dhe Manchester United, i dha fund aventurës europiane.

Ibra u mundua të largonte dekurajimin, duke “rishpikur” veten: “Tani qëllimi është të fitojmë titullin”. Interi është 9 pikë larg, por Milani nuk do të heqë dorë. Laku është i ngushtë dhe dhëmbët të shtrënguar, por matematika lejon të shpresohet. Ama, pikë së pari kuqezinjtë do të duhet të fitojnë përsëri në “San Siro”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu