Afrimi i Mario Mandzukic në merkaton e janarit ishte padiskutim një goditje që mund të ishte kursyer.
Kjo për shkak të moshës, normalisht, por sidomos sepse kishim të bënim me një futbollist që në gati 1 vit kishte luajtur vetëm 3-4 ndeshje në një nivel shumë larg Europës!
Në fakt, karriera e kroatit “mori fund” duke shkuar në Katar, aty ku zgjodhi rrogën dhe jo nivelin. Ndaj edhe të kthehesh në një nivel si ai i Serie A dhe të bësh diferencën duket tejet e vështirë.

Të mos harrojmë që jo të gjithë janë Ibrahimovic. Pikërisht duke ditur problemet e suedezit për shkak dëmtimesh apo moshe, duhej një sulmues i freskët dhe jo një “bashkëmoshatar” me Zlatan!
Kështu që Maldini, Massara dhe ndoshta edhe Pioli, gabuan duke zgjedhur Mandzukic, edhe pse erdhi me parametra zero.

Në fakt, me rrogën e tij prej 3.5 mln euro, mund të huazohej një sulmues për thjesht gjashtë muaj me të drejtë blerje, më i ri, më efektiv, për të dhënë rezultate menjëherë!
Dhe, siç dihet, në disa ndeshje, mund të kishte vendosur pikë për Milanin, diçka që Mandzukic nuk ka bërë kur kanë mbetur edhe 9 javë ende.

Vetëm përtej ndonjë mrekullie, ndoshta do ta shohim duke festuar ndonjë gol me kuqezinjtë nga këtu deri në fund. Por, fillimisht duhet të rikuperojë nga dëmtimi!