Projekti “Maldini”: ja si e ëndërron Milanin drejtori teknik kuqezi. Modelet e klubit dhe loja europiane

Kur mori detyrën te Milani sigurisht që askush nuk e priste të futej menjëherë në rolin me “xhaketë dhe kravatë” mbrapa zyrës, sepse siç thonë, duhet eksperienca, duhet deti i trazuar për të kaluar situatat dhe më pas të jesh gati për atë që do të vijë…

Paolo Maldini donte rol kryesor dhe jo thjesht të jepte mend apo të dilte nëpër fotografi si një “vlerësim” nga klubi se ka afruar një legjendë.

Kursi i tij nisi me Zvonimir Boban, që u kërkua me ngulm nga Paolo, që gjithashtu afroi edhe ish-drejtorin sportiv te Roma, Massara.

Një treshe e formuar për të piketuar lojtarët dhe për të krijuar një skuadër me baza të shëndosha, vlera teknike, mundësi rritje dhe sidomos sjellje profesionale, sepse nëse nuk je një njeri i mirë, nuk mund të jesh një futbollist i mirë!

Boban u shkëput nga projekti, por e bëri për të mirën e Milanit, duke i treguar Elliott dhe Gazidis se klubi nuk mund të trajtohej si një industri dhe kaq, apo fabrikë ku heq dhe vendos gjërat sipas qejfit…

Gazidis e kuptoi gabimin dhe ishte vonë tashmë, por u ngjesh pranë Maldinit dhe Massara-s, që ndërkohë kishin siguruar një ndër talent scout më të njohur në Europë, Moncada, me një të shkuar dikur te Monaco e talenteve (e ndërtuar më së shumti nga ai)

Ideja ishte të merrnin lojtarë jo të afirmuar, ose të shpërfillur, apo që kishin humbur besimin, për t’i futur brenda një projekti.

Mungesa e parave ishte sigurisht një handikap i madh, shpesh duke humbur objektiva, por natyrisht që shumë baste po dalin fitues dhe Maldini e ka kuptuar se të ndërtosh një skuadër me baza duhet durim dhe projekt: një cikël që nisi me Piolin 2 vite më parë dhe që po vazhdon…

Përpara 1 viti, Maldini doli për mediat dhe tha se kishte studjuar me imtësi modelin Bayern dhe se donte të afrohej në ato nivele për autofinancim, mundësi ekonomike, skautingu dhe sidomos për lojën e shprehur në fushë.

Por, plani tani është jo vetëm Bayern por edhe Liverpool i Klopp. Një ekip që përpara disa vitesh ishte i mesit të tabelës dhe sot është favorit për Premier dhe në Champions League.

Do të duhet ende kohë për të arritur aty, me stadiumin e ri që duhet të nisë ndërtimin për të rritur të ardhurat dhe për të pasur dorë më të lirë në merkato…

Por, filozofia e lojës po shkon në ato drejtime. Pioli është duke studjuar me imtësi çdo detaj dhe po përpiqet të japë ide të qarta se si duhet të luajë ekipi i tij: shpejt, me pasime të forta dhe me finalizim. Në portë duhet shkuar me pak pasime dhe jo shumë, sepse vonohet loja.

Dinamizmi, ritmi i fortë dhe presingu. Maldini gjithashtu ka një tjetër rol që është psikologu.

Në intervistën e fundit të dhënë, Ibra ka zbuluar: “Paolo na ka befasuar në rolin si drejtues. Eshtë futur direkt në atë kategori dhe është ambjentuar. Ai qëndron te stërvitjet, merr lojtarët një nga një duke folur dhe madje shpeshherë është ai që edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë u jep zemër”…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu