PREZANTOHET HAUGE: Këshillat e Haaland, ambicja kuqezi, konkurrenca dhe cikli norvegjez!

Jens Petter Hauge u prezantua sot pas mesdite në konferencë për shtyp si futbollist i Milanit pasi më parë nuk kishte qenë e mundur kjo gjë duke parë se skuadra ka pasur impenjime të vazhdueshme dhe nuk ka hapësirën e duhur.

Edhe pse norvegjezi ka debutuar këtë sezon me ngjyrat kuqezi në Serie A, duke u aktivizuar në pjesën e dytë në sfidën ndaj Spezia, ai pret mometin e tij edhe në Europa League.

Si jeni ndjerë para se të ktheheshit në Norvegji, pasi keni përjetuar atmosferën e Milanit, San Siro-s dhe Milanos?

“Ishte e mrekullueshme, sepse për mua ishte një përvojë e shkëlqyer, në një stadium të tillë dhe kundër një ekipi si Milani. Ishte zgjedhja e duhur për t’u rikthyer”.

Gazetarët norvegjezë ju përshkruajnë si një futbollist ambicioz. A mendoni se ky është një term i mirë për të përshkruar veten?

“Po, dhe është gjithashtu një nga arsyet pse vendosa të vij këtu. Ka kaq shumë lojtarë të shkëlqyer këtu dhe unë patjetër duhet të jap më të mirën time çdo ditë nëse dua të përmirësohem si lojtar”.

Në fund të ndeshjes kundër Milanit, i pari që ju bëri komplimente ishte Haaland në rrjetet sociale. A po rritet futbolli norvegjez si një kolektiv dhe individualisht?

“Po. Unë mendoj se Norvegjia ka shumë lojtarë të rinj në rritje dhe ata të gjithë duan patjetër të debutojnë në skenën e madhe dhe disa po e bëjnë atë.

Për mua është një epokë e mirë për të qenë një lojtar norvegjez. Kam mësuar shumë nga kolegët e mi dhe gjithashtu nga ata që ata janë disa vjet më të vjetër se unë”.

Milani fitoi derbin: a jan këto rivalitete të qytetit diçka stimuluese për ju?

“Sigurisht. Unë luaja derbin tim të fundit në Norvegji dhe të shihja një këtu në Itali ishte një gjë krejtësisht e re. Ishte një përvojë e shkëlqyer për mua të shihja të gjithë tifozët në stadium”.

Çfarë roli luan në fushë?

“Unë mund të luaj në pozicione të ndryshme, si një anësor i majtë në depërtim, në kombinim me sulmuesin, si playmaker. Unë jam një lojtar që dëshiron topin, të jetë i rrezikshëm dhe që dëshiron të argëtohet me mbështetjen e tifozëve”.

A mund të na tregoni se si erdhën negociatat për transferimin tuaj dhe nëse Milani tashmë ju kishte kërkuar para ndeshjes së Ligës së Evropës?

“Po, ata kishin dërguar skaut në Evropë dhe i kishin sytë tek unë gjithashtu. Pastaj pas ndeshjes u bindën. Drejtuesit e Milanit e dinë se për çfarë jam i aftë”

Në të majtë ka konkurrencë me Rebic dhe Leao: a ju frikëson?

“Konkurrenca nuk më tremb. Konkurrenca është pozitive, sepse unë duhet të përmirësoj veten çdo ditë dhe në çdo seancë stërvitore. Kjo më motivon dhe më mban gjallë”.

A biseduat me Haaland përpara firmës?

“Ishte një ndjenjë e shkëlqyeshme të firmosja dhe të filloja stërvitjen. Haaland është një shoku im dhe unë fola me të, ai më tha të argëtohesha, ndërsa isha duke pritur për nënshkrimin ai më tha të punoja shumë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu