“Nuk do mbaja në skuadër Ibra-Kjaer”, Rangnik rrëfen prapaskenat kur nisi kontaktet me Milan

Ralf Rangnik dukej shumë afër stolit të Milanit, por rezultatet e shkëlqyera të arritura nga kuqezinjtë nën drejtimin e Stefano Piolit, bënë që drejtuesit t’i besojnë këtij të fundit drejtimin e skuadrës.

Së fundmi trajneri gjerman është rikthyer të flasë për “La Gazzetta dello Sport”, për tratativat e dështuara me kuqezinjtë, teksa shprehet se po të ishte në krye të Milanit nuk mund të vazhdonte me Ibrën dhe Kjaerin, për shkak të moshës së madhe.

“Më kontaktuan për herë të parë në fund të tetorit, kur ekipi ishte tre pikë larg zonës së rënies. Asnjëherë nuk kam folur për këtë në publik. Dua ta sqaroj se kurrë nuk firmosa një kontratë, apo të kisha ndonjë kusht. Isha në marrëveshje me Red Bull deri tre javë më parë. Milani ishte skuadra më e mirë pas rihapjes së kampionatit, ndaj ndryshimi i trajnerit nuk do të kishte qenë diçka e mençur.

Pioli e meritonte ta mbante punën e tij dhe e vlerësoj si njeri, pasi në të gjitha intervistat ka thënë që është i përqendruar vetëm te objektivat. Nëse ky është vendimi i duhur për Milanin në planin afatmesëm dhe afatgjatë, atëherë është një çështje tjetër.

Unë mund të flas për Maldinin si ish-lojtar: një legjendë, i jashtëzakonshëm. Nuk mund të them të njëjtën gjë për të si drejtor, sepse nuk e njoh në atë. Nga jashtë mund të pyetet nëse pronarët janë të kënaqur me rezultatet, nisur nga paratë e investuara gjatë viteve të fundi. Unë shkaku i largimit të Boban? Për këtë duhet të pyesni drejtuesit e klubit.

Nuk është në stilin tim të përqendrohem te një lojtar 38-vjeçar, jo për shkak të cilësive dhe talentit. Unë preferoj të krijoj vlera dhe të zhvilloj talente. Nuk ka shumë sens tek unë ideja për t’u mbështetur tek Ibrahimovic ose Simon Kjaer. Kjo është mënyra ime si i shoh gjërat dhe jo domosdoshmërish është e drejtë apo e gabuar. Kur Ibra tha se nuk më njihte, nuk e kishte gabim. Unë kurrë nuk e kam takuar atë.”, u shpreh Rangnik.

PANORAMASPORT.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu