Milan, Gazidis: “Ky është vetëm fillimi. Ibrahimovic? Nuk kam fjalë, ashtu si për Maldinin”

Ivan Gazidis, CEO i Milanit, dha një intervistë për mikrofonët Sky Uk, ku foli mbi gjithçka për kuqezinjtë.

Për performancën e ekipit: “Unë jam shumë i kënaqur me performancën e ekipit, por ne duhet t’i mbajmë këmbët fort në tokë, ky është ende fillimi i një projekti për një klub që ka kaluar shumë peripeci në këtë dekadë.

Ajo që ne po përpiqemi të kthejmë është krenaria për këtë ekip, duke bërë gjëra ndryshe mbi të gjitha nga mënyra se si i bëjnë ato këtu në Itali.

Ne kemi ekipin më të ri të pesë ligave më të rëndësishme, gjë që është e pabesueshme duke marrë parasysh që Zlatan me 39 vitet e tij e rrit mesataren tmerrësisht, madje edhe me Zlatan ne jemi ekipi më i ri.

Ne jemi duke rishikuar rrënjësisht të gjitha proceset për Milanin dhe në përgjithësi mënyrën e të bërit futboll në Itali. Ne po luftojmë edhe nëse nuk kemi fituar asgjë tani për tani, nuk ka trofe, me pak fjalë, jemi në fillim”.

Treshja Ibrahimovic-Pioli-Maldini: “Gjëja për të cilën jam shumë i lumtur është lidershipi që po tregojmë, jo vetëm në Zlatan, i cili padyshim që është si një çadër për të gjithë lojtarët, ndihmon lojtarët e rinj të rriten.

Por ne kemi të tjerë drejtues, nuk mund t’i përmend të gjithë, por edhe lojtarët më të rinj kanë një mentalitet të shkëlqyeshëm. Mendoj se tifozët e Milanit po shijojnë një ekip në rritje, ku lojtarët tregojnë pasion dhe krenari dhe një përkushtim total ndaj ekipit.

Sigurisht që kemi Stefano Pioli i cili ishte fantastik duke i bashkuar të gjithë këta lojtarë, me një ndjenjë të shkëlqyeshme uniteti dhe me një qëllim të përbashkët.

Elementi i tretë i këtij triumvirati është Paolo Maldini i cili përfaqëson klubin, ai është klubi!

Por jo vetëm për atë që përfaqëson për të kaluarën por edhe për atë që është sot. Paolo është duke bërë një punë të pabesueshme për të rikrijuar një imazh të Milanit për brezin e ardhshëm, duke i mbajtur vlerat e klubit të paprekura sepse ai i njeh aq mirë, por gjithashtu duke menduar për ta për të ardhmen”.

Për ndeshjet: “Ne po luajmë futboll proaktiv, në sulm, ne kemi shënuar të paktën 2 gola radhazi në 14 ose 15 ndeshjet e fundit. Një rekord për futbollin italian, sigurisht që janë rekorde për hir të tyre, por unë besoj dhe shpresoj që tifozët e Milanit të ndiejnë krenarinë që ne ndiejmë dhe nuk i shoh ata duke i parë drejtpërdrejt në stadium sepse tifozët tanë janë të veçantë, ata kanë jetuar vite të vështira dhe ata meritojnë të jenë me ne në krah”.

Mbi Ibrahimovic: “Zlatan vazhdon ta quajë veten Benjamin Button, ai vazhdon të rinohet. Shumë interesante, të gjithë lojtarët që vijnë në Milano dëshirojnë të fitojnë diçka dhe kjo do të jetë një trashëgimi që Zlatan do të lërë sepse ai ka fituar kaq shumë në futboll dhe do të ishte e lehtë të jetonte me të ardhura dhe të shijonte jetën sepse nuk ka asgjë për të provuar.

Por ai erdhi këtu duke kuptuar sfidën tonë, ai është një lojtar ndryshe nga sa ishte dhjetë vjet më parë, ai nuk garon aq shumë sa dikur, por ka dhjetë lojtarë gati për të garuar për të. Dhe është një sfidë tjetër për të, e udhëheqjes, ai kërkon angazhim maksimal nga ata që e rrethojnë dhe lojtarët tanë, dhe klubi në përgjithësi, janë duke iu përgjigjur kërkesave të tij.

Ekzistojnë dy mënyra për të reaguar ndaj këtyre kërkesave: ta injoroni atë, ose, dhe kjo është një qasje më e pjekur, pyesni veten se çfarë mund të bëhet për të përmirësuar performancën siç bën Zlatan për të arritur qëllimet e tij.

Kjo është ajo që po bën i gjithë klubi dhe është një gjë pozitive, nuk kam fjalë të mjaftueshme për të lavdëruar atë që po bën Zlatan”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu