Mesfushori i ri i Milanit, Soualiho Meite, dha intervistën e tij të parë si kuqezi në mikrofonat e kanalit në internet të Djallit.
Ai u transferua nga Torino te kuqezinjtë në formulën e huazimit për gjashtë muaj me të drejtë blerje.
Kontrata e re, nëse Milano do të paguajë 8.5 mln euro në fund të sezonit veç 500 mijë eurove huazim, do të përfshintë kohëzgjatje deri në 2024.

“Milani është një ekip i shkëlqyeshëm, një histori e pasur dhe e madhe. Jam i lumtur që një klub si ky më thirri. Kam biseduar me miq dhe të afërm, isha shumë i lumtur. Milani gjithmonë ka pasur lojtarë të mëdhenj dhe trofetë e fituar flasin”
Për karrierën e tij: “Fillova të luaj futboll në moshën 7 vjeç dhe pasionin tim për këtë sport e mora nga babai im. Fillova me Auxerre në Francë dhe ku nënshkrova kontratën time të parë profesionale isha 17 vjeç. Dhe atje filloi gjithçka”

Mbi karakteristikat e tij: “Jam një lojtar që më pëlqen të zotëroj topin, më pëlqen loja e mirë. Më pëlqen gjithashtu të krosoj, me të dyja këmbët”.
Objektivi: “Qëllimi im është të ruaj nivelin e ekipit dhe të jemi sa më lart që të jetë e mundur si në kampionat ashtu edhe në Evropë”
Një mesazh për tifozët: “Jam i lumtur që jam këtu, në një ekip që ka një histori të shkëlqyeshme. Është pak e trishtë të luash pa tifozë, por mesazhi që mund t’u jap atyre është që të vazhdojnë të na mbështesin dhe të na japin forcë”.