MCA: Lamtumirë Gigio! Nga sot je thjesht Donnarumma… Një nga të shumtët

Ishte 25 tetori i vitit 2015 kur në “San Siro” luhej Milan-Sassuolo. Askush nuk e kishte menduar se do të vinte pandemia pas 5 vitesh, ashtu si askush nuk mund të imagjinonte se në portë do të luante një 16 vjeçar të cilit ende nuk i kishte dalë mjekra…

Kishim frikë dhe emocione, por edhe kuriozitet. Nga aty nisi mbështetja për të, një djalosh i rritur në Akademinë e Milanit, duke menduar se pikërisht si në të shkuarën, mund të bëhej legjendë e klubit kuqezi (shembujt i dini)

Koha kaloi dhe Gigio Donnarumma nisi të rritej. Vështirësia e parë erdhi te rinovimi i kontratës, lufta me agjentin Raiola, kërcënimet, por edhe fyerjet ndaj portierit, pa harruar dollarët fallco të hedhura në portën e tij gjatë ndeshjes së ekipit italian U-21.

E kaluam atë moment të vështirë dhe Donnarumma rinovoi me një rrogë prej 6 mln eurosh duke u bërë një sforco e madhe, aq sa u soll edhe i vëllai në Itali nga Greqia, për t’i qëndruar pranë dhe për ta bërë të ndihej si në familje…

Kushte të çmendura, por të pashmangshme. Gigio përfaqësonte të tashmen dhe të ardhmen. Nga ai moment, viti nuk ishte i lehtë, por pati shumë gafa e gabime, pa harruar në finalen e Kupës së Italisë.

Në gjithë këto pesë vite, jemi munduar ta mbrojmë në çdo moment, shpesh edhe duke fajësuar dikë tjetër në vend të tij (me dashje!)…

Koha kaloi dhe Milani që luftonte për një vend në Champions League (e kthyer një farë “kimere”) arriti t’ia dilte me Gigion tashmë të rritur dhe të vaksinuar, gati për të marrë vendimet e tij.

Koha po skadonte dhe sezoni po i shkonte fundit gjithashtu, ndërkohë mbi tavolinë qëndronte oferta prej 8 mln eurosh e klubit (sforco gjigante në kohë pandemie)

Asnjë përgjigje, asnjë reagim. Menduam dhe shpresuam që ndoshta gjithçka varej nga Champions League dhe se Gigio dontë të provonte elitën dhe skenën e të mëdhenjve, siç është normale për një top player…

Gjatë gjithë kësaj kohe, dashuria që kishte shprehur ai për Milanin dhe tifozët ishte e madhe, aq sa deri te puthja e stemës më shumë se një herë.

I emocionuar në fushë, i emocionuar në intervista, por edhe kur shokët e ekipit godisnin penallti (nuk i shihte fare)

Festa pas suksesit në Bergamo dhe lumturia e tij ishte një mesazh që na kënaqi: më në fund, Gigio tani kape atë stilolaps dhe firmos rinovimin – do apo nuk do Raiola, që bën interesin e tij natyrisht.

Por, asgjë nga këto nuk ndodhën! Dashuria për Milanin u shkri si ai akulli në shkretëtirë me një fjali: “Bëj çfarë më thotë Mino (Raiola)”

Aty u përmbys gjithçka, sepse Gigio u kthye Donnarumma, ashtu si do të jetë gjithmonë nga tani e tutje…

Ndoshta një ditë do ta kuptojë gabimin që ka bërë, ndoshta një ditë do t’i vijë turp nga vetja. Për 1-2 mln eruo me shumë (do të fitojë shumë gjatë karrierës) refuzoi të përfaqësonte fanellën e Milanit me shiritin e kapitenit në krah në Champions League, aty ku donte të matej!

Nuk mjaftuan as tentativat e legjendës Maldini, që u tregua madje shumë i edukuar dhe bujar duke e falënderuar.

Donnarumma largohet pa i sjellë asnjë qindarkë në një moment të vështirë ekonomik botëror klubit të tij. Largohet ende pa folur (do ta bëjë, por mos i besoni asgjëje se çfarë do të thotë!)

Largohet si një mosmirënjohës, largohet si një qenie të cilit nuk mund t’i vendosim emër.

Nuk largohet si Sheva, si Kaka e kështu me radhë, që sot në San Siro marrin duartrokitje nga tifozeria sepse vërtet ikën për ambicje por ikën duke sjellë para, shumë para te klubi!

Mohoi Milanin e tij që e rriti për ambicjet personale dhe ndoshta ekonomike.

Brezi i ri, ata që Milanin kanë 5-7 vjet që e ndjekin dhe nuk kanë parrë kurrë një ndeshje në Champions League, shohin diçka të tillë dhe ndoshta u duket normale!

Jo, nuk është kështu: ju tifozë të ri të Milanit duhet të kuptoni që ky personazh nuk parfaqëson Milanin dhe milanizmin, nuk përfaqëson ngjyrat kuqezi, është thjesht “një nga të shumtët”…

Lamtumirë Gigio, nga sot vetëm Donnarumma! Edhe pse emri yt më mirë të harrohet fare…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu