Pas kualifikimit në grupet e Europa League 2020-21, duke kaluar plot tre kundërshtarë në turet paraeliminatore (Shamrock Rovers, Bodo/Glim dhe Rio Ave), Milani tashmë fokusohet te merkato kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në fund (në datën 5 tetor mbyllet merkato).
Duke folur për Sportmediaset, Claudio Raimondi bëri një analizë të merkatos kuqezi në këtë moment dhe pasi janë siguruar edhe 15 mln euro nga kualifikimi në grupet e Europa League.
“Prioriteti absolut për Milanin është mbrojtësi qendror. Kuqezinjtë vazhdojnë të mendojnë për Tomiyasu duke rritur pak ofertën me bonuse, nga 15 në 18 milion.
Një shifër e cila, megjithatë, nuk është e mjaftueshme, sepse Bologna dëshiron 25 milion euro. Orët e ardhshme do të jenë të rëndësishme, ndërsa filtron një optimizëm i kujdesshëm.
Milani, në fakt, nuk po heton alternativa të vjetra në moshë si Pezzella ose Nastasic, të gjykuar nga projekti Elliott si jo të duhura. Megjithatë, argjentinasi i Fiorentina-s pret ende thirrjen e Maldinit. Mund të bëhet vetëm si plan i fundit, ashtu si edhe serbi i Schalke 04…
Kuqezinjtë kanë ndaluar gjithashtu negociatat për Bakayoko, me francezin që mund të ribashkohet me Gennaro Gattuso te Napoli.