Leao: Nuk ndihemi më pak të fortë, jemi të bashkuar! Ibra vëllai i madh, falënderon trajnerin

Rafael Leao do ta nisë titullar nesër ndaj Crvena Zvezda dhe sot ka qenë përkrah Stefano Piolit në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Europa League.

Me Mario Mandzukic që mungon për shkak të dëmtimit dhe Zlatan Ibrahimovic i cili duhet të fillojë nga stoli, do të jetë radha e tij që të veprojë si qendër sulmues në skemën 4-2-3-1.

Një përgjigje pozitive pritet nga ish-lojtari i Lille dhe i gjithë ekipi në San Siro, pas rezultateve të fundit negative.

Kalimi i raundit në Europa League: “Ne jemi Milani dhe gjithmonë duam të fitojmë. Një ndeshje e rëndësishme nesër, ne duam të ecim përpara në Evropë”.

Pozicioni në fushë: “Unë luaj aty ku thotë trajneri, gjithmonë dua të jap maksimumin tim duke përfituar nga karakteristikat e mia dhe duke ndihmuar ekipin.

Nëse mundem, mund të bëj asistime dhe gola, por fitimi ka më shumë rëndësi”.

Momenti negativ i ekipit dhe dëshira për të reaguar: “Ne nuk jemi më pak të fortë për atë që ndodhi në ndeshjet e fundit. Ne punojmë për të bërë mirë dhe duam të bëjmë më të mirën në ndeshjen e nesërme”.

Rritja e tij: “Falënderoj Piolin për besimin që më jep çdo ditë dhe në ndeshje, por edhe shokët e mi të skuadrës më besojnë. Unë gjithmonë përpiqem t’i dëgjoj të gjithë dhe të ndihmoj grupin”.

Leao ripohon frymën e grupit: “Ne jemi të bashkuar, me kokën lart. Ne e dimë që nuk kemi bërë mirë kohët e fundit, por kemi analizuar gabimet dhe tani shpresojmë të jemi të bashkuar për të reaguar duke filluar nga nesër”.

Morali i ekipit pas rezultateve negative: “Ka shumë lojtarë të rinj në grup, trajneri dhe menaxherët na japin besim për të qenë të qetë në fushë. Ne kemi talent dhe dëshirë për të provuar vlerën tonë në fushë dhe për të nderuar fanellën”.

Përmirësimet e tij krahasuar me sezonin e kaluar dhe faktorin Ibrahimovic: “Këtë vit u ndjeva më mirë se vitin e kaluar. Ibra për mua dhe të rinjtë e tjerë është një vëlla më i madh që na tregon se çfarë mund të bëjmë.

Karakteristika e tij më e rëndësishme është mentaliteti që ai ka në moshën 39 vjeç. Me të jemi më të fortë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu