KJAER: Nuk shkova te Milani për pushime, i dija cilësitë! Ky, ekipi më i fortë ku kam luajtur

Simon Kjaer nuk ndalet. i palodhshëm në fushë, më i përdoruri nga kuqezinjtë në këtë fillim sezoni dhe një lider, edhe pse përgjegjësia më e madhe, siç është thënë dhe rithënë, i bie Zlatan Ibrahimovic.

Danezi foli sot në konferencë për shtyp përpara ndeshjes ndaj Lille në Europa League. Skuadra kuqezi vjen pas dy fitoresh dhe 6 pikësh të plota, ndaj si objektiv ka të hipotekojë kualifikimin, edhe pse do të ketë rrotacion.

Kjaer do të gjejë ish-skuadrën e tij, pasi më parë ka veshur fanelën e Lille. “Te Lille ishte një periudhë e rëndësishme, pasi luajta në Gjermani. Aty rifillova karrierën time dhe kalova shumë mirë, edhe sepse më lindi djali. Kam luajtur në një ekip të mirë, në të cilin jemi rritur shumë.

Që kur isha në Lille e deri më tani, shumë gjëra kanë ndodhur. Skuadra e tyre ka ndryshuar shumë, që kur isha atje, por mbetet e fortë.

Do të jetë një kënaqësi për mua t’i sfidoj ata”.

Kjaer nuk është i lodhur, pavarësisht se luan gjithmonë: “Ndihem më mirë kur luaj, nuk jam i lodhur. Jam i lumtur që po e ndihmoj ekipin, por ende nuk kemi bërë asgjë, edhe pse e kemi filluar mirë.

Milani është ekipi më i fortë, në të cilin kam luajtur? Që kur mbërrita këtu, ne jemi rritur shumë. Jemi një ekip, që di të bëjë mirë fazën sulmuese dhe mbrojtëse. E jona ka qenë një rrugë fantastike, falë punës së trajnerit dhe stafit të tij.

Po, mendoj se kjo është skuadra më e fortë, që kam luajtur deri më tani, por në të njëjtën kohë jemi shumë të rinj dhe mund të përmirësohemi më tej”.

Dikush e quajti Ibrahimovic i mbrojtjes kuqezi për udhëheqjen e tij. Kjaer dukej i lumtur me këtë krahasim:

“Ibra është një profesionist i jashtëzakonshëm dhe një kampion. Falë mentalitetit të tij, të gjithë jemi rritur. Të gjithë e ndiejnë atë që i jep ekipit”. 

Në fund, disa fjalë për të ardhmen, por mbi të gjitha performancën e tij: “Në futboll nuk e di kurrë se si mund të shkojnë gjërat, por isha i lumtur që pata shansin të vija te Milani në janar.

Nuk erdha këtu për të bërë pushime. Jap maksimumin në punën time çdo ditë për ta ndihmuar ekipin.

Kurrë nuk kam pasur dyshime në lidhje me cilësitë e mia, por prapa asaj që bëj, ka shumë punë. Bëj më të mirën, jam i lumtur se si po shkojnë gjërat për mua, por Milani është gjëja më e rëndësishme”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu