Keisuke Honda tregon vitet e errëta te Milani, thumbon Romagnoli dhe Balotelli…

Keisuke Honda sot luan në Azerbajxhan, është trajner i Kamboxhias dhe gjithashtu ka një fondacion me Will Smith. Kohërat e arta kanë kaluar, por futbolli vazhdon të jetë një pjesë integrale e jetës së tij, si dhe kërkimi i vazhdueshëm për sfida të reja. Mesfushori japonez foli për veten e tij në një intervistë te “Gazzetta dello Sport”: 

“Gjithmonë kam nevojë për stimuj të rinj dhe ta tejkaloj vetveten. Nuk është çështje karriere, e kam menduar që kur isha i ri. As për para. Unë ndjek vetëm pasionin tim, futbollin”.

Pika e lartë e karrierës së Honda përkoi me mbërritjen e tij te Milani. Te kuqezinjtë veshi edhe fanellën legjendare me numër 10:

“E kam shkruar në një ese shkollore, kur isha 12 vjeç. Edhe sot e falënderoj Galliani që më dha mundësinë të realizoja një ëndërr të vërtetë.

Por, kishte shumë probleme. Në një kontekst tjetër, mbase nuk do të kisha luajtur kurrë për Milanin, duhet ta pranoj. Ajo situatë e vështirë më ndihmoi”.

Ai, në të cilin luajti, nuk ishte Milani më i mirë në histori: “Klubi nuk kishte para për të blerë lojtarë të nivelit të lartë. Kësisoji, shumë lojtarë ‘normalë’ kanë pasur mundësinë ta veshin atë fanellë.

Nuk kishte asnjë strategji, asnjë strukturë precize të korporatave, një trajner i ri mbërrinte çdo tre muaj. Me një klimë të tillë ishte e pamundur të arriheshin rezultate. Ne dhamë 100%, por tifozët prisnin më shumë”.

Mario Balotelli ishte gjithashtu midis shokëve të tij të skuadrës në Itali: “Një talent i madh, megjithatë nuk bëri asgjë për t’u përmirësuar. Doja ta ndryshoja rutinën e tij të përditshme.

I thoja: Mario, më beso. Nëse do të bëhesh më i miri duhet të stërvitesh shumë. Ai më shikoi me një fytyrë mirëkuptuese dhe të nesërmen u paraqit në palestër 40 minuta para seancës. Gjithashtu, të pasnesërmen. Nga dita e tretë, ai tashmë ishte mërzitur. Ky është Mario”.

Te kuqezinjtë, ai gjithashtu pa Romagnoli shumë të ri që mbërrinte aty: “Një mbrojtës i shkëlqyeshëm, por në ato vite, edhe ai nuk stërvitej 100%. Duhet të besojë më shumë në vetvete dhe të ketë një filozofi tjetër”.

Ndër lojtarët që i bëri më shumë përshtypje ishte Gianluigi Donnarumma. Honda ka parashikuar një të ardhme shumë të madhe për të:

“Ai mund të bëhet një nga portierët më të mirë në botë, si Buffon. Gjithmonë ia kam thënë këtë. Nëse mundet, do të duhet të më ofrojë një darkë me verë të mirë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu