Goditja e tretë, Milani akord me “regjisorin” e Empolit

Pas Teo Hernandezit dhe Rade Kruniçit, Benaser është goditja e tretë e Milanit për këtë verë, por me shumë mundësi nuk do të jetë e fundit.

Që nga dita e akordit me Milanin, Marko Xhampaolo kërkonte dëshpërimisht një mesfushor ndërtues për ta pozicionuar para mbrojtjes. Dëshira e madhe ishte Lukas Torreira, por Arsenali ka vendosur t’i rinovojë kontratën uruguaianit për t’i fshirë nga mendja çdo lloj mendimi për një rikthim në Serinë A, pavarësisht se Milani nuk mund të arrinte të ofronte 45 milionë eurot që kërkonin londinezët.

Përveç 23-vjeçarit, për më shumë se një muaj Maldini ndoqi edhe profile të tjera, por pas vështirësive me Fiorentinën dhe Realin për Veretu e Sebajos, vendosi të besonte te Ismael Benaser. Sipas “Sportmediaset”, drejtuesi kuqezi ka gjetur një akord me Empolin mbi bazën e 16 milionë eurove plus bonuse, një shumë jo fort e largët nga 20 milionë eurot që ishin pretendimi fillestar.

I njëjti burim konfirmon se edhe me lojtarin është gjetur një marrëveshje, e cila parashikon bashkëpunim 5-vjeçar me pagë 1.3 milionë euro në sezon. Zyrtarizimi i akordit është çështje orësh, teksa prezantimi i lojtarit do të ndodhë në përfundim të Kupës së Afrikës, një kompeticion ku Benaser po merr pjesë me Algjerinë dhe është zgjedhur “Lojtari më i mirë” për fazën e grupeve.

KARRIERA – I rritur në Francë me baba maroken e nënë algjeriane, ai ka luajtur deri tri vite më parë me përfaqësueset transalpine. Në vitin 2016 zgjodhi që të përfaqësonte ndërkombëtarisht Algjerinë, vendi i origjinës të së ëmës. Karrierën e nisi në grupmoshat e Arlesit, për para se Arsenali, me miratimin e Vengerit, të afronte në ekip, por pa i dhënë kurrë mundësinë e debutimit me “topçinjtë”.

Periudha angleze karakterizohet nga paraqitjet me të rinjtë dhe më pas huazimi te francezët e Turit. Dy vjet më parë iu bashkua Empolit, ekip më të cilin ka grumbulluar 76 paraqitje në Serinë A. Rënia nga kategoria nuk e penalizoi karrierën e 21-vjeçarit, i cili në sezonin e ri me shumë gjasa do të jetë regjisori i Milanit, pasi marrëveshja mes klubeve mund të quhet e mbyllur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu