Gezuar Ditelindjen Kapiten!

Vetë lind më 26 qershor 1968, i pari djalë pas 3 vajzave. I ati qe kapiten i skuadrës së parë italiane që ngriti në qiell Kupën e Europës (sot Champions) por në familje nuk flet shumë për futboll. I vogli, ndërkohë në shkollë me top luan dhe e bën aq mirë sa fiton një kampionat të moshave.

Në ndeshjen finale një nga motrat i shkrep një fotografi të cilën e lajnë, fusin në kornizë dhe e vendosin në një nga komotë e dhomës së ndenjes. Në foto mban një bluzë ngjyrë shegë veshur dhe nga pozicionimi kur godet topin, të atit i bën përshtypje.

“Paolo, Milan apo Inter?” I vogli sapo ka nisur të shikojë futboll dhe në fakt i pëlqen Roberto Bettega që shënon gola për Juventus-in e atyre viteve. “Nëse më pyet kështu, po them Milan”, përgjigjet i biri. Babai quhet Cesare, Cesare Maldini dhe më 22 maj 1963 Kupën e Europës e pati ngritur si kapiten i Milan në finalen e fituar kundër Benfica-s në “Wembley”.

Më 12 shtator 1978, 10 vjeçari Paolo Maldini shkon të provohet te grumposhat e Milan-it. Për 31 vitet e ardhshme, duke nisur nga ajo ditë, do jetë lojtar i kuqezinjve të Milanos.

Me ekipin e parë debuton më 20 janar 1985. Me numrin 14 në shpinë, trajneri Liedholm, 17 vjeçarit Paolo i beson krahun e djathtë të mbrojtjes. Sezonin e ardhshëm bëhet titullar dhe me paraqitjet e mira fiton shpejt një vend edhe në kombëtare.

Te Milan më 1986 pronar bëhet Berlusconi, një vit më vonë në stol ulet Arrigo Sacchi. Ai i shprehjes: “Për t’u bërë trajner i mirë nuk është e domosdoshme të kesh qenë futbollist më parë. As kalorësit, përpara se të bëheshin të tillë, nuk kanë qenë kuaj…”

Triumfet shoqërojnë njëri-tjetrin dhe Paolo Maldini, tani në krahun e majtë të mbrojtjes, bëhet ndër interpretuesit më të mirë të rolit në botë. Sistemi i trajnerit është i tillë ku anësorët duhet të dublojnë shokun e repartit tjetër dhe Paolo këtë e realizon në mënyrë thuajse perfekte. Rezultati: 2 Kupa Europe.

Me ikjen e Sacchi-t trajner i parë bëhet Fabio Capello. Një tjetër Kupë Europe ku në finale mundet Barcelona e Johan Cruijff. Në këtë ndeshje Paolo luan në qendër të mbrojtjes, rol që me kalimin e viteve do e bëjë gjithmonë e më shpesh.

Jetën private Paolo Maldini arrin t’a kontrollojë mirë duke qenë përherë korrekt në daljet publike. Pavarësisht fizikut prej modeli dhe shndërrimit në ikonë imazhi në një qytet si Milano, me zgjuarsi shmang përherë “skandalet” e faqeve të para.

Në kombëtare Maldini më 1994 humb finale e Kupës së Botës kundër Brazilit. Në Francë ’98 ka për trajner të atin Cesare ndërsa më 2002 luan ndeshjen e fundit për të kaltërit. Italia mundet nga Koreja e Jugut dhe Ahn Jung-hwan i kërcen mbi shpinë për të shënuar golin vendimtar.

Kritikat e prekin edhe personalisht. Gazetarë në Itali e quajnë “të mbaruar” dhe Paolo heq dorë nga kombëtarja. Te Milan shok reparti vjen nga Lazio Alessandro Nesta. Më 28 maj 2003, 40 vite e 7 ditë pas të atit, fiton si kapiten Champions League-n në finale italiane kundër Juventus. Një tjetër Champions e shton në koleksion ne vitin 2007 për t’i bërë 5 të tillë të fituar.

Nga futbolli i luajtur tërhiqet më 31 maj 2009. Një javë më parë, në ndeshjen e fundit në “San Siro”, vërshëllehet nga një pjesë e sektorit ultras. Histori përplasjesh të vjetra: Paolo gjatë karrierës nuk i pat pranuar asnjëherë kritikat e drejtpërdrejta të tifozëve, duke ju përgjigjur rolit të tij si lojtar me impenjimin maksimal në fushë. Fërkime me kulm pas finales së humbur ndaj Liverpool në Stamboll. Një tifozi në aeroport që i drejtohet lojtarëve me “të paktën na kërkoni falje”, Paolo i përgjigjet aty për aty dhe për pak shmanget përplasja fizike.

Në karrierë Maldini e nisi me pullën “i biri i filanit” por e hoqi aq shpejt sa e zhduku fare me 7 kampionate e 5 Champions, 2 të fituar si kapiten i skuadrës. Numri 3 është hequr nga përdorimi në nder të kapitenit. Atë në të ardhmen mund t’a veshë vetëm një tjetër Maldini…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu