GAZZETTA: “Fiksimi i Milanit mbetet Ziyech! Ka dy mënyra për të bindur Chelsea”

Milani po kërkon një përforcim për repartin e avancuar dhe për të mbuluar boshllëkun e lënë nga largimi i Calhanoglu.

Emrat tashmë dihen dhe sot nisi zyrtarisht merkato për klubet, duke qenë data 1 korrik. Do të vazhdojë deri në mbrëmjen e datës 31 gusht dhe ndaj ka kohë për të vepruar me qetësi dhe mençuri.

Sipas edicionit të sotëm të La Gazzetta dello Sport, menaxherët kuqezi vazhdojnë të konsiderojnë Ziyech profilin më të përshtatshëm për rolin e fantazistit, duke bërë një punë si dikur te Ajax kur edhe shkëlqeu.

Marokeni i Chelsea – shkruan Gazzetta – pëlqehet sepse tashmë ka treguar se di ta bëjë numrin “10” në mënyrë të përkryer dhe do të ishte edhe një ndihmë e madhe për krahët dhe qendërsulmuesin.

Megjithatë, duke ditur se me Chelsea ka raporte të mira, gjithçka mund të shtyhet edhe pak më vonë, kur edhe blutë mund të jenë të detyruar të dorëzohen pak dhe ta lënë në huazim lojtarin që nuk është më në planet e trajnerit Tuchel.

Koha e duhur mund të jetë fillimi i gushtit, vetëm nëse një maksi operacion që përfshin Giroud dhe Bakayoko, veç Ziyech, nuk do të materializohej tani në korrik…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu