Gattuso: Dëgjoj muhabete kafenesh, Juventusi mund të na japë shkëndijën që duam

Milani përballet me Juventusin dhe trajneri Gennaro Gattuso ka dalë para mediave për të folur për këtë përballje dhe situatën e skuadrës së tij, që u ndal në një barazim 1-1 kundër Udinezes. Në kampin kuqezi mendojnë për vendin e katërt dhe ky është objektivi kryesor. Nuk ngacmojmë as pyetjet për të ardhmen: “Kam edhe dy vite kontratë me Milanin, nuk e mendoj fare të ardhmen. Mendoj për ndeshjen e radhës, jam te Milani dhe dua ta çoj në Champions”.

ZONA CHAMPIONS – “Është një arritje e rëndësishme, por duhet të mendojmë vetëm për të tashmen. Nuk jemi në moment të mira, duhet të kuptojmë pse. Nuk jemi ekipi i vetëm që po vuajmë, përveç Atalantës që ka vazhdimësi në rezultatet e saj. Vendi i katërt është ende i yni. Fati ka qenë në krahun tonë në disa momente dhe do të luftojmë për të.”

“Do flas për herë të fundit për Leonardon dhe Maldinin: në këtë moment nuk ekziston asgjë, ata flasin me mua si gjithë drejtuesit që flasin me trajnerët e tjerë. Në aspektin profesional jam shumë mirë. Kam vetëm një problem: ka ngecur diçka dhe duhet kuptuar çfarë. Objektivi ynë është ta kthejmë këtë skuadër në Champions, të tjerat janë muhabete kafenesh. Pas paraqitjes së shëmtuar në derbi, ndeshja me Juven vjen në momentin perfekt për të reaguar”.

Coach Gattuso's pre-match press conference La conferenza stampa di Mister Gattuso alla vigilia di #JuveMilan

Posted by AC Milan on Friday, 5 April 2019

BARDHEZINJTË – “Kanë një ekip të madh, janë të mësuar me presionin dhe nuk ka rëndësi që kanë Champions javën e ardhshme. Jo më kot dominojnë prej vitesh. Skuadra ime është nervoze, duket qartë, mund të jetë diçka pozitive, sepse tregon që lojtarët ndihen keq për rezultatet e fundit. Na duhet një paraqitje e madhe, për të marrë fitoren dhe për t’u ringritur. Ka edhe 8 ndeshje deri në fund, Juve kundër Atleticos ishte shembulli për t’u ndjekur, sepse dukej i vdekur dhe në një ndeshje ndryshoi sezonin. Ashtu duhet të bëjmë edhe ne, kemi një rast ideal për kthesë, kundër një ekipi që e ka fituar tashmë titullin”.

“Sigurisht që mund të fitojmë, por rëndësi ka të ruajmë qetësinë. Na duhet një shkëndijë për të nisur kthesën. Shumë lojtarë para një muaji bënin gjëra të pabesueshme, ndërsa sot bëjmë gabime. Është e pranueshme, në futboll është normale të mos jesh konstant. Kam lexuar që Leonardo më ka ndaluar që të luaj me dy sulmues dhe me një trekuartist pas tyre, këto janë muhabete kafenesh. Bëj zgjedhjet që më duken më të mirat, pastaj ia them Leonardos mëngjesin e ndeshjes. Kjo është e vërteta”.

INFERMIERIA – “Kessie është stërvitur me grupin. Romagnoli ka pasur temperaturë, por ishte me ekipin gjatë seancës së fundit. Konti do të kthehet javën e ardhshme. Paqueta-s i duhet pak kohë të rikuperohet. Ai ka nevojë për më shumë ose më pak se 20 ditë. Varet nga lojtari gjithashtu, nga niveli i dhimbjeve dhe se si kavilja e tij do të përgjigjet gjatë trajtimit. Donnaruma do të rikthehet brenda një jave apo për pak më shumë kohë, kurse Calhanoglu nuk ka probleme”.

RACIZMI -“Për fat të keq, në Itali nuk flet dot më për asgjë. Duhet kuptuar se Bonucci foli ashtu, sepse Kean është i ri dhe ka nevojë për këshilla. Bonuccin e masakruan, por i kam lexuar mirë fjalët e tij. Donte ta ndihmonte djaloshin, që është shumë i talentuar, por duhet të qëndrojë i qetë dhe të mos fluturojë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu