Adriano Galliani nuk harron asgjë.
Ish Drejtori i Përgjithshëm i Milanit, nuk e ka harruar transferimin e Andrea Pirlo te Juventus në 2011.
I intervistuar nga Corriere dello Sport, Galliani tha se ishte takuar me Pirlon në Monzello më 5 gusht, për ndeshjen miqësore të Monzës kundër Juventus Under 19.
Me atë rast, Galliani inkurajoi ish-mesfushorin për aventurën e tij si menaxher.
“Do të shohësh që do të shkëlqesh edhe në pankinë” – tha Galliani, vetëm tre ditë pas thirrjes te ekipi i parë i Juventusit.
Galliani dhe Pirlo kanë ruajtur raporte të mira, pavarësisht transferimit në vitin 2011.
Një ndarje që ish-menaxheri i Milanit nuk mund t’ia falë vetes:
“Ishte një gabim largimi i Pirlos. Kanë kaluar 9 vite tashmë”.
Adriano Galliani ka treguar gjithashtu disa detaje të lezetshme për Corriere dello Sport:
“Pirlo ishte trajner edhe kur luante futboll. Studionte shumë. Pippo Inzaghi gjithashtu kujdesej për çdo detaj. Dinte nëse kundërshtari i tij kishe apo jo probleme fizike, në mënyrë që të luante në atë zonë”.