Forma, mendja apo kontrata… Çfarë po ndodh me Kessie? Shembulli “Romagnoli” dhe dita pas betimit që solli heshtjen

Ku është Franck Kessie i vërtetë? Milani po pyet veten, ashtu si edhe tifozët! Lojtari i parë sezonin e shkuar dhe që udhëhoqi ekipin drejt kualifikimit në Champions League duket se ka “humbur” ose është “zhdukur”…

Paraqitje të dobëta, fizikisht i rënduar dhe me mendjen totalisht të bllokuar. Lojtari nuk luan më i çliruar, duket si pa dëshirë, pa pasion dhe një mish i huaj i grupit…

Ok, rinovimi që nuk vjen dhe largimi i mundshëm ndikojnë normalisht, por në anën tjetër, Romagnoli, që gjithashtu si ai mund të largohet me zero në fund të sezonit, është duke dhënë maksimumin e tij, shpesh i kritikuar me të drejtë.

Përtej gabimit te goli i Griezmann (që nuk është një lojtar dosido) paraqitjet e kapitenit kanë qenë të mira.

Ndryshe po ndodh me mesfushorin e Bregut të Fildishtë, që duket tepër i largët nga ai i sezonit të kaluar, kur mori për dore ekipin e Stefano Piolit drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve. Përtej dy faulleve naive, me të cilat mesfushori e la ekipin e tij me 10 vetë në fushë kundër Atletico Madrid, paraqitjet e këtij sezoni kanë qenë anonime.

Me siguri, në kokën e Kessie po peshon çështja e kontratës dhe e një rinovimi, që ende nuk po nxjerr “tym të bardhë”. 

Marrëveshja me Milanin skadon në qershor 2022 dhe takimet midis drejtuesve kuqezinj e George Atangana, agjent i Kessie, nuk e kanë ngushtuar ende distancën midis ofertës dhe kërkesës (rreth 3 milionë euro).

Çështja është gjithashtu fizike, duke pasur parasysh marrjen pjesë në Olimpiadën e Japonisë gjatë verës dhe kthimin në kamp stërvitor të Milanit pa pushime.

Kjo tendosje fizike i dha menjëherë një dëmtim, që vonoi kapjen e formës optimale sportive. Dhe në këtë pikë, nuk mund të përjashtohet shitja e tij në janar, me Tottenham, Liverpool dhe mbi të gjitha PSG në gjurmët e mesfushorit nga Bregu i Fildishtë.

Madje, sipas thashethemeve të fundit, një ose dy ditë pasi mesfushori doli dhe tha nga Azia se “sa të kthehem në Milano e zgjidh rinovimin sepse dëshira ime është të vazhdoj me fanelën kuqezi” ndodhi befasia: PSG ose dikush tjetër, i bëri agjentit të tij ofertën e majme…

Nga aty, vetëm heshtje dhe ndonjë postim në rrjetet sociale. Kessie i fshihet kamerave, nuk është më i qetë. Rrezikon të shkelë betimin e tij dhe të përfundojë edhe më keq se sa Calhanoglu dhe Donnarumma përpara syve të tifozëve të Milanit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu