
Fitore pa shkëlqyer, por FITORE…
Natyrisht, në këtë periudhë, kur këmbët nuk vrapojnë ashtu si duhet dhe kur mundësia për t’u dëmtuar është e madhe, frika është ajo që shpesh bllokon edhe futbollistët.
Por, Milani merr 3 pikë të rëndësishme në Crotone, një fushë futbolli aspak e mirë dhe në parametra (terreni ishte si mos më keq) duke fituar ndeshjen e dytë radhazi në kampionat dhe të katërtën këtë sezon, përfshirë edhe dy të Europa League.
Vendos goli i Franck Kessie me penallti (fituar nga Rebic) dhe ai i Brahim Diaz (në debutimin zyrtar si titullar kuqezi). Por, ka edhe nota negative si dëmtimi i pësuar nga Ante Rebic, që i la fushën Colombo-s. Një dhimbje koke më shumë për Stefano Pioli, me shpresën që të jetë vetëm një dalje e brrylit dhe jo krahut.
Për pjesën e mbetur, dy tranversa të goditura nga Milani me Kjaer në pjesën e parë dhe Krunic në të dytën. Tonali e nisi titullar dhe nisi të fitojë besim, ndërsa Diaz pas një pjese të parë jo të mirë, u rrit në të dytën.
U pa në fushë përsëri pas shumë kohësh, që pas Milan-Cagliari në “San Siro” në ndeshjen e fundit të sezonit të shkuar, Rafael Leao. Pioli e aktivizoi në minutën e 82-të. Bennacer, që e nisi nga stoli, u hodh në fushë në të 63′.
Pas katër minutash shtesë, arbitri vërshëlleu fundin. Ndeshja e radhës, përballja në playoff të Europa League ndaj Rio Aves në Portugali, të enjten.
Më pas, ndaj Spezia-s në “San Siro”, java e tretë e kampionatit.