DUKET PRANË LAZIO-s, MILAN APO ROMA MUND TË SURPRIZOJNË

Milani dhe Roma thuhet se po përpiqen t’ia rrëmbejnë Lacios Vedat Muriqin.

Bardhekaltrit u tradhtuan për nënshkrimin e David Silvës, i cili zgjodhi Real Sociedadin më herët gjatë javës dhe tani mund të humbasin sulmuesin e Fenerbahçes, për të cilin ata, siç duket, kanë rënë dakord për një investim prej 18 milionë eurosh në favor të klubit turk.

26-vjeçari që luan për Kombëtaren e Kosovës shënoi 17 gola dhe shtoi shtatë asistime në 36 ndeshje në të gjitha garat për ekipin nga Stambolli këtë sezon dhe po tërheq shumë interes nga skuadrat më të mira në Europë.

Mediat italiane raportojnë se Roma dhe Milani po mundohen të ndikojnë në zgjedhjen e sulmuesit duke bërë propozime më të larta ekonomike për pagën dhe për kartonin.

Duket se një ankand ka nisur mes italianësh dhe pavarësisht se Muriqi pritet të hënën në kryeqytetin italian, Roma dhe kuqezinjtë po bëjnë të pamundurën për të marrë miratimin e tij.

Burime pranë kosovarit thonë se drejtues të klubit turk do të takojnë përfaqësuesi të Romës gjatë fundjavës, çka mund të vonojë firmën e tij me Lacion.

Ndërkohë, me këta të fundit, 26-vjeçari thuhet se ka një akord për një kontratë pesëvjeçare, ndërkohë që Milani dhe Roma do të mundohen të provojnë fatin e tyre.

Edhe vetë klubi nga Stambolli e ka frikësuar Igli Taren se mund të përsëritet rasti i David Silvës që në momentin e fundit nënshkroi me Real Sociedadin.

E teksa ditët po kalojnë dhe marrëveshja me lacialët ende nuk është zyrtarizuar, Fenerbahçe lëshoi një deklaratë dje:

“Kemi marrë shumë oferta për Muriqin. Ka raportime se Muriqi ka firmosur për Lacion, por ne duhet të sqarojmë se kjo nuk është e vërtetë”, çka turbullon edhe më tepër ujërat rreth bomberit.

PANORAMASPORT.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu