36 vjeç por gjunjët e mbajnë akoma.
Mbrëmë Thiago Silva ka drejtuar edhe njëherë me mjeshtëri Paris St. Germain-in e tij në “pushtimin” e finales së Champions League.
Pas një jave kontrata e tij me PSG do të skadojë.
Thiago Silva dëshiron të rrijë në Europë dhe do të vlerësojë çdo propozim të merkatos, edhe ato që vijnë nga Seria A italiane.
“Nuk e di nëse mund të kthehem, do të shohim çfarë do të ndodhë me agjentin tim” – ka thënë dje braziliani pas fitores me Laipzig.
Milani do të ishte një hipotezë tërheqëse, Thiago do të gjente mikun e tij Ibrahimovic dhe një ambjent që e ka çmuar gjithmonë, edhe në distancë.
Por sipas Calciomercato.com nga ana e Milanello-s pista e Thiago Silva nuk duket kaq “e nxehtë”.
Kanë dalë sinjale jo shumë pozitive drejt kthimit të mbrojtësit të vitit ‘84, i cili është propozuar nga agjentët e tij.
Por Milani ka plane të tjera, kërkon futbollistë të rinj e me prespektivë dhe vështirë që të investojë në një mbi tridhjetë vjeçar, pavarësisht se ka të bëjë me një mbrojtës me peshë.
Italia largohet kështu nga e ardhmja e Thiago Silva-s, që mund ta shohim në La Liga ose Premier League.
Një mundësi e mirë e humbur nga klubet italiane.