“Do ta çoj Milanin në majën e botës”… 35 vite më parë Berlusconi u bë PRESIDENTI!

Historia e Silvio Berlusconit te Milani nuk mund të përmblidhet në një artikull, madje do të duheshin ditë të tëra për të dhënë një program të asaj që arriti të bënte…

“Do ta çoj këtë klub në majën e botës dhe ju do të më ndihmoni”, deklaroi ai në takimin e parë zyrtar me ekipin. Askush nuk i besonte, por me vepra dhe fakte “Cavaliere” e konfirmoi…

Pikërisht më 10 shkurt 1986, Silvio Berlusconi u bë pronari i AC Milan, me ratifikimin zyrtar që mbërriti dhjetë ditë më vonë.

Një datë historike për futbollin italian dhe për klubin kuqezi, duke pasur parasysh që biznesmeni milanez, i shoqëruar nga Adriano Galliani, e çoi Milanin dhe Italinë në majën e Europës dhe botës me lojërat e kampionëve të shumtë.

Berlusconi është presidenti më i suksesshëm në historinë e kuqezinjve: 8 herë kampion i Italisë, 5 herë kampion i Europës, fitues i 2 Kupave Ndërkontinentale dhe i një Botërori për Klubet. Ai, gjithashtu ka fituar 7 Superkupa të Italisë dhe 5 të Europës, si dhe një Kupë të Italisë për gjithsej 29 trofe zyrtarë në 30 vite.

Silvio Berlusconi, presidenti historik i kuqezinjve, u shpreh në këtë mënyrë në kanalet zyrtare të klubit, me rastin e 120-vjetorit të Milanit, duke u përqendruar te trajnerët, skuadrat, fitoret e mëdha etj:

“Unë kam qenë pjesë e Milanit gjithmonë. Kam shkuar në stadium me babanë tim dhe prandaj e kisha Milanin në zemër. Si të gjithë djemtë, e kisha bërë Milanin dhe lojtarët e tij shembull për t’u ndjekur në lidhje me luftën, përkushtimin, këmbënguljen në ndjekjen e rezultateve të rëndësishme dhe të vështira.

Kështu që, kur pashë se Milani po shkonte nga keq e më keq në gjithçka që kishte ndodhur, mora vendimin të hyja edhe unë në fushë…

Dhe nga aty filloi kjo histori e mrekullueshme. Ato që i vumë vetes ishin qëllime, në të cilat askush nuk besonte. Jam absolutisht i kënaqur dhe i lumtur, sepse falë fitoreve të këtij Milani të madh unë jam bërë presidenti i klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit botëror.

Kudo që shkoj ka njerëz që duan të më përqafojnë dhe të më falënderojnë për Milanin që kemi mundur të ndërtojmë. Jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu