Vetëm pesë vjet më parë, Milan dhe Atlético Madrid po luftonin për të, aq sa në fund ai zgjodhi destinacionin Spanjë, që nuk do të ishte një tokë qëndrimi por thjesht stacion i përkohshëm përpara se të merrte avionin për në Kinë!
Po flasim për Jackson Martinez (ish-sulmuesi i Portos dhe Kolumbisë), që ka mbetur pa skuadër dhe duket se ka marrë një tjetër karrierë ndryshe nga topi!
Pas përvojës në Portugali, te Portimonense, i kthyer nga aventura aspak e lumtur në Kinë, kolumbiani në moshën 34 vjeç fillon të mendojë për të varur këpucët në mur!

Ndërkohë po ndjek pasionin e tij tjetër: muzikën. Muzikën fetare, për të qenë të saktë.
“Escucha” është kënga e publikuar nga ish-futbollisti i Portos përmes mediave sociale. Një këngë hip hop e kompletuar me videoklip. Në lidhje me këtë ai i tha: “Muzika ime është përqendruar në bërjen e njohur të fjalës së Zotit. Në një moment kritik në karrierën time, kur kisha dy operacione, iu përkushtova teksteve dhe muzikës, duke vendosur të publikoja albumin tim të parë”.

Kurioziteti i vogël, Jackson Martínez dëshironte të bëhej një basketbollist. Ai është një njeri shumë fetar, në fakt krijoi një fondacion për të ndihmuar fëmijët kolumbianë në vështirësi dhe në vitin 2020 ai publikoi një hit muzikor me titull “Esperan en ti” gjithmonë me një temë fetare. Ai është i martuar me Tatiana Caicedo, një psikologe, dhe ka një djalë, Josué.