“Baba, nuk dua të lëviz nga Milani…”/ Kur Kaka refuzoi milionat e Manchester City-t

Pas 6 sezonesh ku me fanellën kuqezi të Milan-it fitoi gjithçka, braziliani Ricardo Izecson dos Santos Leite në janar të vitit 2009 merr një lajm nga i ati:

“Ka ardhur një superofertë nga Anglia dhe Milan-i është i gatshëm ta pranojë. Bëhet fjalë për Manchester City-n.”

Në kulmin e karrierës, Kaká merr sinjalet e para se nuk konsiderohej më i paprekshëm.

“Në Milano në atë kohë isha shumë i lumtur. Jeta ime po shkonte siç dëshiroja. Adhuroja klubin, qytetin dhe familja ime ishte ambientuar më së miri. Skuadra luftonte çdo sezon për të fituar Champions-in dhe kur im atë më telefonoi u shtanga.

City kishte kontaktuar direkt Milan-in dhe jo mua fillimisht, siç ndodh zakonisht në këto raste.”

Projekti i sheikëve në Mançester ishte në fillimet e tij.

Verën paraardhëse City kishte afruar në skuadër Robinho-n ndërsa tani në janar po ofronin një shumë marramendëse për Kaká-në, me të cilin shpresonin t’i jepnin një fytyrë ndërkombëtare planit të tyre ambicioz.

Dhe e bëjnë duke kontaktuar drejtpërdrejt klubin që ka në pronësi kartonin e brazilianit. Milan-i pranon ofertën.

“Fakti që klubi ishte dakord me shitjen time më bëri që të dyzohesha.

Përpara se ta merrja vesh ndihesha qendër e projektit dhe as që e çoja nëpër mend largimin. Por tani që Milan-i ishte i gatshëm të pranonte ofertën gjërat nisën të ndryshojnë. Qe një periudhë shumë e vështirë për mua. Ishte janar dhe ishim në aktivitet.

Im atë fluturoi për në Mançester për të diskutuar detajet e marrëveshjes ndërsa paraqitjet e mia në fushë pësuan rënie. Kisha humbur siguri.

Kur erdhi koha për të vendosur përfundimisht nëse do pranoja apo jo ofertën angleze, dhjetëra tifozë u mblodhën poshtë apartamentit tim duke thërritur kundër largimit. Kur në telefon im atë më thonte se duhet të ktheja përgjigjen përfundimtare, unë vazhdoja të dëgjoja thirrjet e tifozëve.”

Kaká pas shumë ditësh meditim e lutje, kthen përgjigjen përfundimtare:

“Baba, falenderoji për ofertën por nuk dua të lëviz nga Milan-i…”

Më pas një skenë që bëhet e famshme botërisht për tifozerinë kuqezi, është ajo e brazilianit që del në ballkonin e apartamentit të tij dhe me fanellën me numër 22 ndër duar u lë tifozëve të kuptojnë se do vazhdojë të jetë pjesë e Milan-it.

Në verën e ardhshme, Ricardo Izecson dos Santos Leite kalon te Real-i i Madridit. Milan-i jepte sinjalet e para të ndryshimit të politikave financiare në klub.

(Dosja.al)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu